LIVE | `Paqja qoftë me ju të gjithë`, thotë Papa në fjalët e tij të para

(E plotësuar 19:40) Në fjalët e tij të para si Papë, Leo XIV iu drejtua turmës në Sheshin e Shën Pjetrit: “Paqja qoftë me ju të gjithë.”

“Kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur, bariut të mirë që dha jetën për Zotin,” tha ai, duke shpjeguar zgjedhjen e përshëndetjes së tij. “Dhe dua që kjo përshëndetje e paqes të hyjë në zemrat dhe familjet tona.”

Leo XIV nderon Françeskun në fjalët e para si papë

Leo XIV u duk i emocionuar ndërsa përshëndeste turmën entuziaste në sheshin poshtë ballkonit.

Duke iu drejtuar besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Leo XIV i bëri homazh Papës së ndjerë Françesku, duke i nxitur të pranishmit të kujtojnë trashëgiminë e paraardhësit të tij.

“Le ta mbajmë në vesh zërin e dobët të Papës Françesku që bekon Romën. Papa që bekoi Romën, i dha bekimin e tij gjithë botës atë mëngjes të Pashkës. Më lejoni të vazhdoj atë bekim. Zoti na do. Zoti i do të gjithë. E keqja nuk do të triumfojë,” tha ai në italisht, duke iu drejtuar turmës së mbledhur në Vatikan.

Leo XIV falënderon “vëllezërit kardinalë” që e zgjodhën papë

Gjatë fjalimit të tij, Papa Leo XIV falënderoi kardinalët për besimin që i dhanë për të udhëhequr Kishën Katolike.

“Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë vëllezërit e mi kardinalë që më kanë zgjedhur të jem pasardhësi i Pjetrit dhe të ec me ju si një kishë e bashkuar. Gjithmonë në kërkim të paqes dhe drejtësisë. Në kërkim të bashkëpunimit me burra dhe gra besnikë ndaj Jezu Krishtit, pa frikë për të shpallur ungjillin dhe për të qenë misionarë, tha ai.

Papa Leo XIV bën thirrje për një kishë që ndërton ura dhe angazhohet në dialog

Papa Leo XIV paraqiti vizionin e tij për Kishën Katolike si një kishë që “ndërton ura” dhe angazhohet në bisedë.

“Duhet të përpiqemi së bashku të jemi një kishë misionare. Një kishë që ndërton ura dhe dialogon,” tha ai gjatë fjalimit në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit sot.

Papa i ri u bëri gjithashtu thirrje njerëzve që “të tregojmë dashurinë tonë për të tjerët” dhe të “jemi në dialog me dashuri”

(E plotësuar 19:20)  LIVE | Papa i ri shpallet Robert Prevost nga SHBA

Kardinali Robert Francis Prevost nga Shtetet e Bashkuara është zgjedhur papa i 267-të dhe së shpejti do të dalë në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit si udhëheqësi i ri i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën.

Prevost, 69 vjeç, nga Çikago, Illinois, është papa i parë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara. Ai do të mbajë emrin Leo XIV.

Një udhëheqës me përvojë globale, Prevost kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij si misionar në Amerikën e Jugut dhe së fundmi drejtoi një nga zyrat më të fuqishme të Vatikanit për emërimet e ipeshkvijve. Pritet që ai të ndërtojë mbi reformat e nisura nga Papa Françesku.

Ai punoi për një dekadë në Trujillo, Peru dhe më pas u emërua ipeshkëv i qytetit tjetër peruvian Chiclayo, ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023, raporton CNN.

Në një intervistë për Vatican News menjëherë pasi u bë udhëheqës i Dikasterit për Ipeshkvijtë, Prevost tha: “Unë ende e konsideroj veten misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që të jem.”

(18:16) Tymi i bardhë nga Kapela Sistine, zgjidhet Papa i ri

Tymi i bardhë ka dalë nga Kapela Sistine, duke sinjalizuar se kardinalët kanë përzgjedhur Papën e ri në ditën e dytë të konklavës.

Identiteti i tij dhe emri që do të mbajë si Papë do të bëhen të njohura së shpejti. Kambanat e Bazilikës Shën Pjetri kanë filluar të bien në Sheshin Shën Pjetri për të festuar zgjedhjen e papës së ri.

Sipas CNN, turma në sheshin kryesor të Vatikanit shpërtheu në duatrokitje kur tymi i bardhë filloi të dilte nga hiri i Kapelës Sistine. Shumë shpejt, fraza latine “Habemus papam” (Kemi një Papë) do të shpallet nga një kardinal, duke njoftuar zgjedhjen e papës së ri. Ky moment do të shënojë prezantimin e kardinalit që ka fituar, së bashku me emrin papal që ka zgjedhur.

Përpara se të dalë në ballkonin e Bazilikës Shën Pjetri për të bërë fjalimin e tij të parë si papë, ai do të veshë rrobat speciale të papës dhe do të kalojë një moment privat në një dhomë për t’u mbledhur. Pas shpalljes së “Habemus papam”, bota do të mësojë se kush është pasardhësi i Papa Françeskut dhe emri i tij papal.

Një ngjarje historike po zhvillohet në Vatikan dhe shumë shpejt do të zbulohet kush do të jetë udhëheqësi i ri i Kishës Katolike.