Ajka, vajza e artistëve të njohur Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj, festoi ditëlindjen e saj të 7-të në një mënyrë të veçantë dhe emocionale. Edhe pse prindërit e saj janë të ndarë, ata vijojnë të jenë të bashkuar në dashurinë për vajzën e tyre.
Mbrëmjen e kaluar, Ajka festoi me babain e saj në një ambient të ngrohtë, ku ishin të pranishëm familjarë dhe miq të afërt të Besit. Atmosfera ishte e mbushur me dashuri, buzëqeshje dhe momente të paharrueshme mes babait dhe bijës.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, Xhensila organizoi një surprizë për të bijën në shtëpi. Ajo publikoi një video në Instagram ku Ajka shihet teksa zgjohet dhe përballet me një dhomë të zbukuruar plot ngjyra, tullumbace dhe dhurata, në prani të shoqeve të saj të vogla.
Këngëtarja ndau edhe një dedikim shumë të ndjerë për vajzën e saj, ku ndër të tjera shkruante: “7 vite me ty, Ajka ime. Të dua me gjithë shpirtin tim, vajza ime! Mami do të jetë gjithmonë pranë, për ty, në çdo hap, në çdo frymëmarrje.”
Pavarësisht ndarjes, Besi dhe Xhensila kanë treguar se mbeten bashkë në gjënë më të rëndësishme që i lidh: rritjen dhe lumturinë e Ajkës.


