Sjellja jokonvencionale e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donalt Trump shkaktoi habi dhe acarim gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve pas finales së Kupës së Botës për Klube, e zhvilluar në stadiumin MetLife të New York-ut.
79-vjeçari qëndroi në podiumin e fituesve së bashku me lojtarët e Chelseat, pas dorëzimit të medaljeve të arta për triumfin 3-0 ndaj Paris Saint-Germain. Ai nuk u tërhoq pas shpërndarjes së medaljeve, por qëndroi në vendin ku zakonisht festojnë vetëm kampionët, duke u përfshirë kështu edhe në fotot festive të ekipit anglez.
“Ne ishim pak të irrituar,” deklaroi Cole Palmer, autor i dy golave dhe “Lojtari i Ndeshjes”, në konferencën për shtyp pas finales. “Reece (James) thjesht ngriti trofeun lart dhe Trump duartrokiti. Ishte një moment që i përkiste vetëm ekipit.”
Trump, i shoqëruar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mori reagime të përziera nga mbi 80,000 tifozë në stadium: pati disa duartrokitje, por fishkëllimat ishin dukshëm më të forta.
Presidenti amerikan nuk dha shenja shqetësimi dhe e shijoi të gjithë ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Ai ndoqi pjesën më të madhe të ndeshjes nga një nga stolat VIP së bashku me bashkëshorten Melania Trump dhe familjarë të Infantinos.
Finalja e Botërorit për Klube ishte një ngjarje testuese për Kupën e Botës 2026, që gjithashtu do të mbyllet në stadiumin MetLife më 19 korrik të vitit të ardhshëm. Deri atëherë, Donald Trump pritet të jetë ende në mandatin e tij presidencial.