Bedinaj bën për spital policin që dhunoi kamarjerin – çfarë ndodhi ?

Një incident i rëndë ka ndodhur në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë, ku një konflikt banal për një shishe ujë ka përfunduar në dhunë fizike dhe ndërhyrje të forcave të policisë.

Sipas burimeve, gjatë natës, Ardian Isufi – ish-shef i qarkullimit rrugor në Vlorë dhe aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër – së bashku me shtetasin Leart Bimo kanë dhunuar një kamarier 18-vjeçar në një prej lokaleve të njohura të zonës.

Ngjarja ka marrë një tjetër kthesë kur Vasil Bedinaj, pronari i lokalit dhe një biznesmen i njohur në qytet, ka ndërhyrë për të mbrojtur të riun. Ai ka goditur me grusht Ardian Isufin, i cili për shkak të plagëve ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Ky nuk është incidenti i parë ku përfshihet Bedinaj. Në gusht të vitit 2024, ai ishte filmuar duke goditur me grusht në fytyrë një qytetar që kishte shprehur pakënaqësi për bllokimin e hapësirës publike në plazh nga hoteli i tij. Edhe atëherë, situata u përshkallëzua dhe u shmang nga përplasjet e mëtejshme falë ndërhyrjes së qytetarëve të tjerë.

Rasti aktual ka ndezur debate të shumta në rrjet, ku shumë qytetarë janë shprehur se “këtë herë i lumtë dora” për reagimin ndaj një akti të papranueshëm të një efektivi policie ndaj një të riu në punë.

Policia dhe institucionet hetimore nuk kanë dalë ende me një deklaratë zyrtare për ngjarjen. Ndërkohë, pamjet e konfliktit po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, duke rritur presionin publik për zbardhjen e plotë të rastit.