“Babai tha miqasia ka përfunduar…” – Vëllai i Liridona Ademajt tregon sjelljen e çuditshme të Naim Murselit pas ngjarjes

Vëllai i Liridona Ademajt ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po zhvillohet gjykimi për vrasjen e motrës së tij, për të cilën është i akuzuar bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Në dëshminë e tij, ai ka rrëfyer momentet e para pas ngjarjes tragjike dhe ka treguar për sjelljet e çuditshme të Murselit, që i habitën të gjithë familjarët.

“Filloi e pamja, Naimi nuk ishte askund. E kam thirrë në telefon, i kam thënë: Ku je Naim, njerëzit kanë ardhë me pa, të po të kërkojnë. Më ka thënë: Fëmijët kanë me dëshmu, jam rrugës”, ka treguar ai para trupit gjykues.

Ai ka shtuar se qëndrimi i ftohtë i Naimit dhe i Kushtrimit, si në raport me familjen ashtu edhe në media, ishte i pashpjegueshëm për ta.

“Na habitke qetësia e Naimit dhe Kushtrimit, shumë të ftohtë edhe me ne, edhe me mediat,” është shprehur ai.

Më tej, ai ka cituar babanë e tyre, i cili i zhgënjyer nga sjellja e Murselit, kishte deklaruar: “Miqasia mes nesh dhe tyre ka përfundu. Si është e mundur që Naimi e ka lënë vetëm Liridonën?

Naim Murseli është paraqitur në seancë, pasi që pas ekzaminimeve psikiatrike, ka rezultuar se ky i fundit është në gjendje të rregullt mendore dhe mund të vijojë seancat e mëtejme gjyqësore.