Konfirmohet ndarja mes Big Bastës dhe Vesa Lumës, çfarë po ndodh mes çiftit të famshëm?

Big Basta dhe Vesa Luma, një prej çifteve më të dashura dhe ikonike të muzikës shqiptare, duket se po përballen me një stuhi në jetën e tyre private. Spekulimet për një krizë martesore nisën pas hyrjes së reperit në spektaklin televiziv “Ferma VIP 2”, një vendim që, sipas burimeve të afërta me çiftin, nuk është mirëpritur nga Vesa.

Në një moment që nuk kaloi pa u vënë re, Big Basta u pyet se për kë do ta kishte më shumë mallin gjatë qëndrimit të tij në fermë. “Për djalin”, u përgjigj ai, ndërsa kur moderatorja Luana Vjollca e pyeti më tej “Vetëm për djalin?”, ai shtoi shkurtimisht: “Edhe familjen”, pa përmendur në asnjë moment emrin e bashkëshortes.

Kjo heshtje ndaj Vesës, bashkë me mungesën e çdo postimi mbështetës nga ana e saj në rrjetet sociale, kanë rritur edhe më shumë dyshimet për një ndërprerje të marrëdhënies. Madje edhe kur gjatë një mbrëmjeje në fermë u vendos një nga këngët e Vesës dhe ai nisi të këndojë e kërcejë me banorët, përshëndetja e tij ishte sërish vetëm për djalin e tyre, Lian, duke lënë jashtë bashkëshorten.

Marrëdhënia e tyre po kalon një periudhë të ftohtë, e nxitur pikërisht nga pjesëmarrja e Big Bastës në këtë reality show. Të dy artistët njihen për postimet e përbashkëta dhe shprehjet publike të dashurisë, por heshtja e fundit e të dyve flet më shumë se çdo fjalë.

Vetëm pak muaj më parë, në dhjetor të vitit 2024, dyshja u shfaq në Paris për të kujtuar ditën e propozimit. “12.12.12 në orën 12:00” ishte momenti kur Big Basta i propozoi Vesës në Kullën Eiffel – një kujtim i paharrueshëm që ata e rigjetën pas 12 vitesh, tashmë në shoqërinë e të birit. Me një postim emocionues në Instagram, Vesa shkroi: “Para 12-vjetësh… bëri propozimin më të bukur në botë… Sot, më datë 12.12.24, në orën 12:00 u rikthyem me frytin e dashurisë në të njëjtin vend”.

Por duket se koha ka sjellë sfida të reja për çiftin. Me Big Bastën tashmë brenda një loje publike si “Ferma VIP 2” dhe Vesën që qëndron në heshtje totale, mbetet për t’u parë nëse kjo është një krizë kalimtare, apo shenja e hapit final të një ndarjeje.

Publiku është në pritje të një reagimi nga të dy, veçanërisht nga Big Basta, që ndodhet nën vëzhgimin e kamerave dhe ndjeshmërisë së opinionit publik. A do të flasë për këtë situatë? Apo do të zgjedhë të mbajë privatësinë e tij, siç ka ndodhur shpesh edhe më parë?