Noizy reagon pas lirimit nga paraburgimi në Zvicër: “Mama ja dola…”

Reperi i njohur shqiptar Noizy është liruar nga paraburgimi në Zvicër, ku u ndalua disa ditë më parë në aeroportin e Zyrihut. Pas këtij episodi që tronditi fansat dhe mediat, ai ka zgjedhur të thyejë heshtjen përmes një postimi në Instagram, duke sqaruar situatën dhe qetësuar ndjekësit.

“Një keqkuptim i rëndë, i shkaktuar nga një shpifje, më përfshiu padrejtësisht në një procedurë verifikimi nga autoritetet zvicerane,” – shkruan Noizy, duke theksuar se personi përgjegjës për këtë situatë do të përballet me pasojat që parashikon ligji në Zvicër.

Reperi kërkoi falje ndaj fansave të tij në Zvicër që e prisnin në koncertin e së shtunës në “Rinora 4”, por siguroi se gjithçka tashmë është tejkaluar dhe planet artistike vazhdojnë pa ndalesë.

“Jam sërish me ju, për të çuar përpara koncertet dhe albumin e ri. Mama ja dola,” – përfundon ai postimin, duke i kthyer energjinë pozitive fansave që e mbështetën gjatë gjithë kësaj kohe.