Ripendohet reperi FERO, fshin postimet fetare

Reperi Feronit Shabani, i njohur në histori si Fero, ka vendosur të zbresë sërish nga piedestali shpirtëror për të pushtuar skenën muzikore.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka përcjellë te ndjekësit disa copëza nga kënga e re, ku mes ritmit të egër dhe rimave të mprehta, nuk kanë munguar thumbimet dhe ofendimet e shumta ndaj ish-bashkëshortes, Arbenita Ismajli.

Dikur i vendosur të largohej nga muzika për t’iu përkushtuar besimit, Fero nuk kurseu për një kohë as postimet e përditshme me përmbajtje fetare. Por sot, me po atë vendosmëri, i ka zhdukur të gjitha nga rrjetet sociale, duke lënë vend për këngë me tone krejtësisht të tjera.

Rikthimi ka ndezur diskutime të shumta, ndërsa publiku ende përpiqet të kuptojë nëse kemi të bëjmë me një rilindje artistike apo thjesht një tjetër tentativë për të futur Fero-n në qendër të vëmendjes.